Tapë dhe xurxull

Tobiasi (Heiko Pinkowski) dhe Shishja (Peter Trabner) janë shokë për kokë. Ata nuk janë ndarë ndonjëherë nga njëri-tjetri qëkur kanë qenë të rinj. Tobiasi është tashmë në kulmin e jetës së tij, ka një grua e tre fëmijë. Edhe pse ai është person me përgjegjësi, prapëseprapë vazhdon të mos rritet.

Bashkë me Shishen ai feston nëpër diskoteka me djem e vajza të reja, të cilët i ka si fëmijët e vet. Ata pijnë alkool çdo natë dhe qëndrojnë të nesërmen të shkalafitur në shtrat. Mirëpo kjo mendjelehtësi e shkujdesur e të qenit i ri ka kohë që ka marrë fund.

Tobiasi sa vjen e futet më thellë në grindje me gruan e tij Anikën (Christina Große), tre fëmijët e tyre dhe kolegun Tomas (Thorsten Merten), me të cilin ka themeluar një zyrë arkitekture. Prej alkoolit ai humbet lejen e drejtimit, porositë e punës, jetën dashurore me gruan e tij dhe kënaqësinë e fëmijëve. Dhe për të mos e lënë me kaq, shkakton dhe një aksident me makinë, i cili gati sa s'u kushton jetën fëmijëve.

Pak e nga pak Tobiasi kupton, se shoqëria, që ka me Shishen, nuk i bën mirë dhe se ka ardhur koha, që secili prej tyre të ndjekë rrugën e vet. Mirëpo kur Tobiasit i vijnë mendtë, është tepër vonë. Ai nuk arrin ta heqë qafe Shishen, kështu që spiralja vrastare vazhdon të rrotullohe, derisa gjërat të bëhen dhe më keq.

  • Titulli: Tapë dhe xurxull
  • Regjia: Axel Ranisch
  • Kohëzgjatja: 102 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2015
  • Gjuha: gjermanisht me titra shqip
  • Aktorët: Heiko Pinkowski, Peter Trabner, Christina Große, Thorsten Merten, Oliver Korittke, Eva Bay, Robert Gwisdek, etj.
  • Data: të martën, 10 tetor 2017, ora 19:00
  • Vendi: Kinema Millennium, shëtitore “Murat Toptani”, nr. 20, 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 21.07.2017
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑