Mes dy botëve

Jesperi është ushtar i forcave ushtarake të Gjermanisë. Edhe pse vëllai i tij humbi jetën në shërbim në luftën e Afganistanit, ai regjistrohet vullnetarisht për një mision tjetër në atë shtet. Së bashku me njësinë e tij ai ka për detyrë të mbrojë një fshat të ndodhur larg qytetërimit nga sulmet e Talibanit. Ndër shoqëruesit e Jesperit është edhe përkthyesi afgan Tarik, një dajlë i ri, detyra e të cilit është ndër të tjera edhe ndërmjetësimi mes ushtarëve dhe fshatarëve.

Të dyja palët e kanë të vështirë të anashkalojnë diferencat e tyre të mënyrës së të jetuarit. Në një moment Jesperit, i cili duhet të fitojë besimin e fshatarëve dhe të milicëve aleatë Arbaki, i stakohet truri. Konfliktet me ndërgjegjen, të shkaktuara nga urdhrat e eprorëve të tij, sa vijnë e shtohen. Mirëpo kur Tariku, i cili për shkak të afrimitetit që krijon me gjermanët kërcënohet me vdekje, frikësohet edhe për jetën e motrës së tij, Jesperi duhet të marrë një vendim.

Filmi është xhiruar nëpër vende reale si Kunduz, Mazar-i-Sharif dhe nëpër qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe është folur në gjermanisht, anglisht, darisht dhe pashto. Premierën e tij botërore filmi e festoi në Berlinalen e vitit 2014.

Për t’u përmendur:
“Mes dy botëve” ka shkaktuar një mori entuziazmi në konkursin e Berlinales. ... Një film i inskenuar mjeshtërisht. ... Këtu regjisorja nxjerr në pah tensionet njerëzore dhe kulturore. (gazeta “Neue Zürcher Zeitung”)

  • Titulli: Mes dy botëve
  • Regjia: Feo Aladag
  • Kohëzgjatja: 103 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2014
  • Gjuha: gjermanisht me titra anglisht
  • Aktorët: Ronald Zehrfeld, Mohsin Ahmady, Saida Barmaki, Abdul Salam Yosofzai, Burghart Klaussner, Felix Kramer, Pit Bukowski, Tobias Schöneberg, Roman-Timothy Rien, etj.
  • Data: të enjten, 20 prill 2017, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas


Aktualizimi i fundit: 11.04.2017
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑