About a Girl

“Ndonjëherë shoh një ëndërr të çuditshme”, tregon Sharlina (Jasna Fritzi Bauer) në fillim. Në këtë ëndërr këndojnë Kurt Cobain dhe Jimi Hendrix, të shoqëruar edhe nga Amy Winehouse, këngë të reja e të padëgjuara më parë. Në familjen e përzierë të Sharlinës ka shumë pak “normalitet”. Mamaja e ka nxjerrë babain prej vitesh nga shtëpia, ndërkohë që vendin e tij e ka zënë mësuesi i biologjisë i Sharlinës, një nga ata tipat vegjëtarë. Oksari (Lauritz Greve), vëllai i vogël, publikon në internet detajet e familjes së tyre. Ndërsa relatat më të mira Sharlina i ka me gjyshen e saj Emin (Dorothea Walda). Në shkollë ajo është shumë xheloze për shoqen e vetë Izën (Amelie Plaas-Link), pas së cilës rendin të gjithë djemtë, por pa e ditur që asaj i pëlqejnë vetëm vajzat. E parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, Sharlina sheh në jetën e saj shumë probleme dhe pak qëndrueshmëri, deri tek ankthet e pubertetit dhe ato filozofike. Ajo i druhet gjithashtu edhe faktit, se mos e gjithë bota i bie mbi kokë. Çfarë i pëlqen shumë është të qëndrojë në shi, sepse rrebeshi i duket si një shenjë nga lart.

Që në fillim Sharlina shfaq tendencë për fantazi morbide. Posterat në dhomën e saj janë kryesisht të këngëtarëve të vdekur; albumin e fotografive e ka me foto kafshësh të ngordhura, të cilat i ka bërë vetë me aparatin e saj Polaroid; dhe krahas shkollës bën një praktikë pranë një agjencie funeralesh, ku grimon kufomat e ku në fund do t’i duhet të grimojë edhe gjyshen e saj të vdekur. Edhe kjo predispozitë është një nga motivet e saja për vetëvrasje, edhe pse arsyet – aty filmi qëndron realist – nuk bëhen të qarta. Nga fundi, psikoterapisti aq i lirshëm dhe jo rrallë ironik sqaron: “Vdekja na tregon para syve, se jeta është një dhuratë!” Mirëpo për Sharlinën kjo frazë ka një vlerë tjetër.

Aktorja kryesore e filmit Jasna Fritzi Bauer u vlerësua më 2014 për rolin e saj me Çmimin Bavarez të Filmit (Bayerischer Filmpreis).

  • Titulli: About a Girl
  • Regjia: Mark Monheim
  • Kohëzgjatja: 105 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2015
  • Gjuha: gjermanisht me titra shqip
  • Aktorët: Jasna Fritzi Bauer, Sandro Lohmann, Heike Makatsch, Simon Schwarz, Aurel Manthei, Dorothea Walda, etj.
  • Data: të martën, 18 tetor 2016, ora 19:00
  • Vendi: Kinema Millennium, shëtitore “Murat Toptani”, nr. 20, 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 21.06.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑