Magjia e kitarës: Amadeus Guitar Duo

Festivali Ndërkombëtar i Kitarës në Tiranë u krijua në vitin 2013 nga fondacioni “Guitar Foundation of Albania” në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës.

Pjesë e koncertit janë masterkoncertet, masterklasat, konkurset e kitarës dhe referatet. Këtu kanë marrë pjesë në mënyrë aktive më shumë se 200 nxënës, studentë dhe pedagogë të kitarës nga 40 shtete. Në vitin 2015 festivali do të paraqesë në edicionin e tij të tretë dyshen në kitarë Amadeus, e cila bën pjesë te klasa e lartë ndërkombëtare e dysheve të kitarës:

Kanadezja Dale Kavanagh dhe gjermani Thomas Kirchhoff përbëjnë së bashku që prej vitit 1991 dyshen e quajtur ‘Amadeus Guitar Duo’. Sekreti i suksesit të tyre, i cili numëron mbi 80 koncerte të qëndrueshme në vit, qëndron te dedikimi që i japin këta dy artistë instrumenteve të tyre. Kështu ata nuk u mjaftuan vetëm me një dyshe, por nisën të përqendroheshin edhe në një repertor kitare me orkestër. Falë përkushtimit të tyre, shumë shpejt kjo gjini doli nga lëvozhga e saj.

Dyshja e famshme ka performuar në më shumë se 1.000 koncerte në mbi 50 shtete të ndryshme të Evropës, të Amerikës së Veriut, të Mesme dhe të Jugut dhe të Azisë, ku e ka ngazëlluar publikun e saj me një temperament të vrullshëm në performancën virtuoze, me një forcë krijimtarie tejet të ndjeshme dhe një tingull të lartë, të ngrohtë dhe përcjellës të kitarës. Së bashku ata zhvillojnë rregullisht koncerte me Orkestrën e Dhomës së Pragës, asaj të Maincit dhe të Manhajmit, me Orketstrën Shtetërore të Filarmonisë së Hales, me Filarmoninë Ndërkombëtare, me Filarmoninë e Tyringut të Qytetit Gota, me Filarmoninë Hungarica, me Capella Cracoviensis, me Orkestrën e Presidenciale të Ankarasë dhe me Filarmoninë e Vestfalisë së Jugut.

Më 1992 ata themeluan Simpoziumin Ndërkombëtar të Kitarës në Izerlon të Gjermanisë, i cili sot numëron mbi 250 pjesëmarrës nga më shumë se 50 shtete të ndryshme, koncerte me yje me famë botërore në këtë fushë, masterkurse, referate, ekspozita dhe aktivitete të panumërta, ku një nga festivalet më të rëndësishme të këtij lloji në rang botëror është www.guitarsymposium.com.

Gjatë sezonit 2014/15 muzikantët janë ftuar nëpër koncerte të vendeve të ndryshme, si psh. në Kinë, Korenë e Jugut, ShBA, Kanada, Angli, Itali, Austri, Lihtenshtain, Turqi, Rumani dhe Poloni. Që prej vitit 2003 Dale Kavanagh dhe Thomas Kirchhoff japin mësim si profesorë të kitarës pranë Shkollës së Lartë për Muzikë të Detmoldit në Gjermani, prej së cilës kanë dalë fitues të panumërt çmimesh nëpër konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare. Dyshja ‘Amadeus Guitar Duo’ luan ekskluzivisht me kordat e D’Addario-s dhe me kitarat e Toni Müller-it nga Arbergeni (Gjermani) dhe të Kenny Hill-it nga San-Francisko (ShBA).

  • të martën, 29 shtator 2015, ora 19:00,
    Universiteti i Arteve, Tiranë

    Koncerti i hapjes për festivalin e kitarës
  • 28, 29 dhe 30 shtator 2015,
    Universiteti i Arteve, Tiranë

    Workshop-e


Aktualizimi i fundit: 30.06.2015
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑