Shteti kundër Fric Bauerit

Dymbëdhjetë vjet pas kapitullimit të nazistëve Republika Federale e Gjermanisë është ende në hapat e para të rimëkëmbjes. Shumica e njerëzve duan t’i hedhin pas krahëve dhe t’i harrojnë tmerret e luftës naziste, por jo prokurori i përgjithshëm Fric Bauer (Burghart Klaußner), i cili i është përbetuar zbardhjes së krimeve të regjimit nazist dhe që në vitin 1957 merr një informacion për vendndodhjen e nënkolonelit të atëhershëm Adolf Ajshman të divizionit nazist SS. Baueri do ta nxjerrë Ajshmanin para gjyqit, por gjatë hetimeve ai has pengesa të vazhdueshme, madje dhe nga rangu i lartë shtetëror: Kryeprokurori Ulrish Krajdler (Sebastian Blomberg) dhe punonjësi i policisë kriminale Paul Gebhard (Jörg Schüttauf) sabotojnë Bauerin dhe punonjësin e tij, prokurorin e ri Karl Angerman (Ronald Zehrfeld), duke përdorur çfarëdolloj metode. Kërkimet për Ajshmanin jo vetëm që i sfilisin dy hetuesit nga ana profesionale, por edhe jeta e tyre private vuan nga kjo çështje.

Filmi inskenon vitet vendimtare të punës së prokurorit të përgjithsëm Fric Bauer të prokurorisë së Frankfurtit, i cili synon të ndjekë penalisht përgjegjësit e regjimit nazist dhe çështjet lidhur me ta pas Luftës së Dytë Botërore.

  • Titulli: Shteti kundër Fric Bauerit
  • Regjia: Lars Kraume
  • Kohëzgjatja: 105 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2015
  • Gjuha: gjermanisht me titra anglisht
  • Aktorët: Burghart Klaußner, Ronald Zehrfeld, Sebastian Blomberg, Jörg Schüttauf, Lilith Stangenberg, Laura Tonke, Michael Schenk, Cornelia Gröschel, etj.
  • Data: të enjten, 16 shkurt 2017, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas


Aktualizimi i fundit: 19.01.2017
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑