Prindër

Ndërkohë që Konradi (Charly Hübner) luan me fëmijët e vegjël, mamatë e tyre i vëzhgojnë ata gjithë kënaqësi. Mos vallë Kristina (Christiane Paul) e ndjen që Emës (Emilia Pieske) dhe Ketës (Paraschiva Dragus) babai u qëndron më pranë se ajo vetë? Vetëm pak ditë më vonë ajo do të plasë së qari: “Fëmijët nuk më duan! Më urrejnë!” Parajsa ka kohë që po shkretohet. Konradi dëshiron të punojë sërish si regjisor teatri dhe ka shansin të inskenojë sipas variantit të tij veprën “Nibelungen” të dramaturgut gjerman Frederik Hebels. Duke qenë se Kristina nuk do ta lërë punën e saj si anesteziste në spital, çifti vendos të angazhojë si kujdestarë për fëmijët një vajzë au-pair nga Argjentina. Mirëpo Isabela (Clara Lago) është shtatzënë dhe nuk mund ta kryejë detyrën e saj si au-pari deri në fund. Diskutimet nisin fillimisht të qeta, p.sh. kush do ta shpjerë vajzën shtatzënë te mjeku për kontroll. Konradi dorëzohet dhe shtyn për shkak të Isabelës provën e tij të parë të teatrit.

Fëmijët e fiksuar pas babait të tyre reagojnë shumë të ndjeshëm: Ema i përjeton gjëmat e saja si yll i vogël në mënyrë tepër energjike. Ndërkohë që ajo nuk mund të marrë pjesë në shfaqjen teatrore të babait, Keta nga ana e saj refuzon vazhdimisht, çka bën që ndjeshmëria e saj të shndërrohet në agresivitet. Asaj nuk i bën përshtypje, që motra e vogël është ulur në parvazin e jashtëm të dritares. Kur Konradi më në fund largohet nga familja për një kohë të shkurtër dhe fle në teatër, ajo tërbohet aq shumë, saqë i përplas atij derën para fytyrës, kur ai kthehet në shtëpi. Përpjekja e Kristinës për të folur me burrin e saj në mbrëmje në teatër përfundon në një sherr të hidhur. Më pas hyn në lojë edhe skenografja e re Juli (Maren Eggert), për të cilën Kristina mendon, se ka një aferë me bashkëshortin e saj, ndërkohë që në spital një koleg i Kristinës shpreson të përfitojë nga problemet bashkëshortore të saja. E gjithë situata ka gjasa të shndërrohet në një katastrofë. Tragjeditë familjare krijohen nga rrethana shpesh të neglizhuara.

Mirëpo si regjisor dhe bashkautor i filmit, Robert Thalheim vendos dorën e tij mbrojtëse mbi prindërit dhe fëmijët. Nuk është tragjedia ajo që kërkon ai, por baraspeshimi, sidomos për shkak të fëmijëve. Kështu që asnjë figurë nuk keqësohet: Kristjana nuk është një grua karrieriste e ftohtë, Konradi nuk është nga ata tipat artistë hakmarrës dhe fëmijët, pavarësisht sa të bezdisshëm janë dhe sillen, prapë nuk janë të prapët.

Aq banale sa mund të tingëllojë, në fund vendosin gatishmëria për kompromis dhe vullneti i mirë – edhe te sakrificat: “Duhet pranuar, që është diçka e vështirë. Nuk mund të kemi çdo gjë në të njëjtën kohë. Nuk mund të jemi të dy në të njëjtën kohë në majë të karrierës sonë, të jemi prindërit më të ndjeshëm dhe të zhvillojmë një lidhje tejet emocionuese. Nuk mund të bëhen të gjitha njëkohësisht. Gjërat duhen diskutuar hapur dhe nuk duhet ta lëmë veten të shkatërrohemi nga këto aspirata. Sigurisht që të gjitha këto duhet t’i marrim seriozisht dhe nga ana tjetër të kemi edhe besim. Fëmijët rriten gjithsesi. Ata kanë fuqitë e tyre edhe kur ne nuk mund të jemi 100 % të disponueshëm për ta.” (Robert Thalheim)

  • Titulli: Prindër
  • Regjia: Robert Thalheim
  • Kohëzgjatja: 96 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2013
  • Gjuha: gjermanisht me titra shqip
  • Aktorët: Charly Hübner, Christiane Paul, Paraschiva Dragus, Emilia Pieske, Clara Lago, etj.
  • Data: të martën, 11 tetor 2016, ora 19:00
  • Vendi: Kinema Millennium, shëtitore “Murat Toptani”, nr. 20, 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 16.06.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑