Në labirintin e heshtjes

Gjermania në fund të viteve ‘50: “Mrekullia ekonomike” është në nivelin më të lartë, njerëzit gëzojnë mirëqenie, ndërsa tmerrin e periudhës naziste duan ta harrojnë. Mirëpo gazetari Tomas Gnilka (André Szymanski) tërheq vëmendjen e opinionit publik: Një nga shokët e tij dallon një ish-mbikëqyrës të kampit të përqendrimit të Aushvicit. Kështu gazetari përpiqet ta nxjerrë personin në fjalë, i cili tashmë punon si mësues, para gjykatës së Frankfurtit. Megjithatë përpjekja e tij has shumë refuzime. Vetëm prokurori i ri Johan Radman (Alexander Fehling) tregohet i gatshëm – kundër vullnetit të eprorëve të tij të drejtpërdrejtë – të merret me hetimin e çështjes. Rreth tij zhvillohet një pleksje ndrydhjeje, mohimi dhe glorifikimi. Ndërkohë që në këto vite disa prej njerëzve nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Aushvicin, të tjerët duan ta harrojnë atë gjë sa më shpejt të jetë e mundur.

Prokurori i përgjithshëm Fric Bauer (Gert Voss) e mbështet kërshërinë e kolegut të tij të ri. Ai vetë ka kohë që punon për të sjellë para drejtësisë krimet e dhunshme të kryera gjatë periudhës së nanizmit, por nuk ka mundur të realizojë gjë, duke qenë se i mungonin prova të qarta për të ngritur padi. Kur Johani dhe Tomasi gjejnë dokumente, të cilat çojnë tek autorët e krimeve, Baueri kupton menjëherë rëndësinë e tyre dhe ngarkon zyrtarisht Johanin me drejtimin e hetimeve të mëtejshme. Tepër i entuziazmuar ai merr përsipër detyrën e re dhe bën çmos për të zbuluar, se çfarë ka ndodhur atje në atë kohë. Ai nis të pyesë dëshmitarë, të zhbirojë dosje, të sigurojë prova dhe madje hera-herës të tejkalojë kompetencat e tija. Ky rrugëtim e fut atë thellë e më thellë në një labirint fajesh e gënjeshtrash, por ajo çka ai do të zbulojë në fund do ta ndryshojë vendin përgjithmonë.

Figura e Johan Radmanit është fiktive dhe bazohet te tre prokurorët, të cilët përgatitën padinë për procesin gjyqësor të Aushvicit në gjykatën e Frankfurtit: Joachim Kügler, Georg Friedrich Vogel dhe Gerhard Wiese. Kujtimet e prokurorit Wiese për procesin gjyqësor janë hedhur në skenar. Filmi “Në labirintin e heshtjes” u emërtua në gusht 2015 si kandidat për një nominim Oscar në kategorinë “Filmi i Huaj më i Mirë”.

  • Titulli: Në labirintin e heshtjes
  • Regjia: Giulio Ricciarelli
  • Kohëzgjatja: 123 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2014
  • Gjuha: gjermanisht me titra shqip
  • Aktorët: Alexander Fehling, André Szymanski, Friederike Bechtl, Gert Voss, Johann von Bülow, Udo Suchan, etj.
  • Data: të martën, 25 tetor 2016, ora 19:00
  • Vendi: Kinema Millennium, shëtitore “Murat Toptani”, nr. 20, 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 23.06.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑