Rhythm is it!

Projekti i parë dhe më i madh arsimor i grupit filarmonik të Berlinit: Nën drejtimin e pedagogut britanik Royston Maldoom 250 fëmijë dhe adoleshentë që vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore e gjeografike studiojnë koreografinë e tij “Le Sacre du Printemps” të Strawinsky-it. Nën drejtimin e Sir Simon Rattle grupi filarmonik i Berlinit bën prova për veprën e kompozuar nga Strawinsky. Në fund të dokumentarit emocionues shfaqja e shumëbrohoritur zhvillohet në arenën Treptow-Arena të njësisë administrative Treptow-Köpernick të Berlinit.

Në një palestër shkolle Royston Maldoom i paralajmëron dhe u shpjegon nxënësve të tij, se do të tregohet shumë i rreptë me ta. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë eksperiencë me vallëzimin klasik. Koreografi e di shumë mirë që si ai, ashtu dhe fëmijët, s’do ta kenë të lehtë punën: Kjo do të thotë, që ai i trajton ata me seriozitet dhe u jep çdo vëmendjen të nevojshme.

Sir Simon Rattle u tregon muzikantëve të orkestrës së tij për krijimin e një grupi vallëzimi me fëmijë dhe adoleshentë të moshave 8 deri në 20 vjeç, të cilët vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore e gjeografike. Dirigjenti shton, se aty bëhet fjalë për të rinj, të cilët zakonisht në atë moshë vetëm zihen me njëri-tjetrin. Ai shpjegon edhe idenë e tij për muzikën: “Muzika është ajo, çfarë shpreh për njerëzit dhe çfarë mund të bëjë ajo për ta. Ajo mund t’i tregojë njerëzve, se çfarë i lidh ata me njëri-tjetrin.

Dy regjisorët, Thomas Grube und Enrique Sánchez Lansch nxjerrin përpara rreshtit tre adoleshentë, si përfaqësues të të gjithë pjesëmarrësve të tjerë të projektit, për t’i marrë vazhdimisht në pyetje gjatë provave pesëjavore. Ndryshimet që po pësojnë Marie, Martin dhe jetimi nigerian Olayinka s’janë për të mos u vënë re. Royston Maldoom, i cili s’e sheh veten si një punonjës social, por si një artist të angazhuar, e konfirmon edhe vetë këtë gjë: “Mund ta ndryshoni jetën tuaj – nëpërmjet kërcimit”, u kishte sqaruar ai nxënësve javën e dytë të provave. Ai ka një vëzhgim të veçantë dhe një ndjeshmëri të lartë kur është në kontakt me nxënësit e tij, njëlloj sikur t’i lexonte problemet dhe konfliktet e tyre pa asnjë lloj pengese nga trupat e tyre. Arti i tij konsiderohet si një mundësi terapie – pa i shkaktuar artit kurrsesi ndonjë formë vetëmohimi. “Mund të shohësh, se si vetëbesimi pushton gradualisht trupat e pazhdërvjellë, se si plogështia zhduket, se si fytyrat e ngrysura nisin të çelin dhe se si sforcimi entuziazmon disa prej tyre e madje duke tejkaluar dhe pritshmëritë. Kështu fillon të kuptosh, se pse liria dhe arsimi dikur janë konsideruar motër e vëlla. Këtu fëmijët kishin mundësinë të zhvillonin atë që kanë përbrenda vetes. Madje mund të vësh edhe bast për faktin, se këta fëmijë në një provim në të ardhmen mund të përfitojnë nga kjo eksperiencë.” (Jens Bisky, gazeta Süddeutsche Zeitung)

Dy regjisorët i paraqesin provat e valltarëve dhe provat e filarmonistëve veç e veç, si sekuenca të montuara paralelisht. Kështu puna e tyre krijon një ritëm vizual individual, çka është diçka shumë e rrallë dhe e theksuar për një film dokumentar. Më pas, në provat e nxënësve, fillon të përzihet gradualisht edhe muzika e orkestrës. Kur ata vizitojnë pas javës së pestë për herë të parë një provë të orkestrës, në fillimin e së cilës Sir Simon Rattle jep një hyrje në kompozimin e Strawinsky-it, kjo përballje shkakton një moment shumë prekës, pothuaj utopik dhe të bukur – gjithashtu edhe përmes ngrohtësisë emocionale, e cila qëndron në kontrast të fortë me qasjet e shkreta dhe të ftohta të Berlinit, të cilat janë montuar si pamje ndarëse midis sekuencave filmike.

Në fillim fare dhe në fund luhet muzikë hiphopi: Një lloj muzike, e cila është padyshim më afër mënyrës së jetesës së fëmijëve dhe të adoleshentëve, krahasuar me veprën e Strawinsky-t. Megjithatë ajo e ndryshoi përvojën me “Le Sacre du Printemps”. Kjo gjë mund të përcillet edhe te vëzhguesit e “Rhythm is it!”, si një bindje e re, në kontrast me këta fëmijë, me artin dhe me botën.

Hans Günther Pflaum

  • Titulli: Rhythm is it!
  • Regjia: Thomas Grube, Enrique Sánchez Lansch
  • Kohëzgjatja: 100 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2004
  • Gjuha: gjermanisht me titra anglisht
  • Data: të enjten, 21 prill 2016, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Trailer: YouTube trailer


Aktualizimi i fundit: 05.04.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑