Detektivët e makaronave

Në lojën e bingos, ku mamaja e mori me vete, Riko Doreti (Anton Petzold) prezantohet si “një fëmijë me dhunti të ulët”. Ai vetë e di që nuk është bekuar me aftësinë më të shpejtë të të perceptuarit, por ama ia del mbanë. Problemet e tija me orientimin në rrugët e njësisë bashkiake Berlin-Kreuzberg ai i kompenson nëpërmjet shenjave që bën rrugës, kurse larminë e fjalëve të reja, që duhet të mësojë dhe të kuptojë, ai i mban shënim ose i incizon në kasetë. Djaloshi jo vetëm që shkruan çdo fjalë të re që sheh në rrugë, por çdo gjë që i kap syri – deri te një fije e vetme makarone, të cilën duhet ta ketë flakur dikush nga dritarja e shtëpisë së tij. Riko përpiqet të zbulojë pronarin e objektit të gjetur, duke u treguar kështu shikuesve një sërë bashkëbanorësh, të cilët nuk janë më pak të çuditshëm se ai. Mamaja e vet e do shumë atë, vdes për të, por ka shumë pak kohë në dispozicion, sepse punon në një lokal nate. Babai i tij ka vite që është mbytur kur ishte duke peshkuar. Në qytet policia është në kërkim të një grabitësi fëmijësh të quajtur “Mister 2000”, i cili kërkon për të lëshuar fëmijët e rrëmbyer 2.000 euro. Një shumë, e cila i duket e ulët mjaftueshëm për t’i penguar prindërit e viktimës të shkojnë në polici. I shqetësuar, Riko pyet të ëmën, nëse ajo do t’i jepte aq shumë para për të.

Në rrugë Riko njihet me djalin e talentuar Oskar, i cili në fillim sillet përbuzës dhe arrogant. “Nuk jam qëllimisht budalla”, shpjegon djali i ofenduar dhe me mimikë të çarmatosur, saqë e bën Oskarin të kërkojë ndjesë. Ky është fillimi i një shoqërie të bukur, ku djemtë mësojnë shumë nga njëri-tjetri. Në një dyqan akulloresh Oskari jo vetëm që i jep një leksion të mirë retorik Rikos, por edhe shitëses antipatike. Riko dëshiron t’i bëjë Oskarit një vizitë në shtëpi dhe të njohë edhe babanë e tij, por Oskari reagon në mënyrë refuzuese.

I irrituar, Riko, i cili netëve është gjithnjë vetëm, vëzhgon, se si pas dritares që ka përballë lëvizin disa hije, por që nuk arrin t’i ndajë ato. Më pas merr vesh, që Oskari është bërë preh e grabitësit dhe se babai i tij lajmëron policinë, sepse do t’ia kursejë vetes paratë. Nga tani e tutje “Riko, Oskari dhe hijethellët” do të jetë një film aventurash për fëmijë, i cili të kujton fare pak filmin “Emili dhe detektivët” (Emil und die Detektive). Riko, të cilit një bashkëbanor i kishte sugjeruar të sillet si “një burrë i vërtetë”, nis hulumtimet nga ana e tij dhe del papritur më i zgjuar dhe sypatrembur. Kështu ai liron shokun e tij dhe zbulon grabitësin. Nën shtresën aventureske të filmit gjendet një shtresë e dytë, e cila tregon për risqe e madje edhe për rreziqe psikike e për momente, të cilat Riko i përshkruan si “ndjesi të këqija” dhe “hijethellë”.

  • Titulli: Detektivët e makaronave
  • Regjia: Neele Leana Vollmar
  • Kohëzgjatja: 96 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2014
  • Gjuha: gjermanisht me titra shqip
  • Aktorët: Anton Petzold, Juri Winkler, Karoline Herfurth, Ronald Zehrfeld, Ursela Monn, Axel Prahl, Milan Peschel, Anke Engelke, Katharina Thalbach, etj.
  • Data: të shtunën, 15 tetor 2016, ora 15:00
  • Vendi: Kinema Millennium, shëtitore “Murat Toptani”, nr. 20, 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 11.07.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑