Taste the Waste

Shtresat shoqërore të pasura jetojnë në kamje: Rreth gjysma e të gjitha produkteve ushqimore përfundojnë në plehra, në shumicën e rasteve madje para se të shkojnë te konsumatori. Por me kalimin e kohës njerëzit po ndërgjegjësohen për përmasat e këtij abuzimi. “Taste the Waste” hulumton shkaqet e këtij shpërdorimi dhe pasojat për ushqimin e 7 miliarda njerëzve, si dhe ndikimet që kjo sjell në ndryshimet klimatike. Xhirimet janë bërë në Evropë, Afrikë, Azi dhe në ShBA. Nëse përmes një filmi të vetëm shpresojmë vërtetë ndryshimin e ndërgjegjësimit të shikuesve, atëherë puna e producentit Valentin Thurn mund t’i përmbushë këto pritshmëri.

Vjenë: Dy çiklistë dalin natën me çantat e tyre mbi shpinë dhe kontrollojnë kontejnerët e mbeturinave të supermarketeve: Nën dritën e elektrikëve të dorës ata gjejnë bukë, zarzavate dhe lule – të gjitha në gjendje të mirë konsumi. Tashmë turpi i mëparshëm është zhdukur; njëri prej tyre thotë, se deri 95 % të nevojave të tija ai i mbulon nga “mbeturinat” – më saktë, nga ato që kanë hedhur supermarketet. Duke pasur parasysh shpërdorimin në vendet e pasura, kjo gjë për të është gjithashtu edhe një vlerë ideale.

Në një supermarket francez punonjësit kontrollojnë datat e skadimit të produkteve të tyre. “Kosi skadon për gjashtë ditë”, shpjegon njëri prej tyre, pra, tani produkti konsiderohet i pashitshëm dhe madje as i përshtatshëm për t’u dhuruar. Kështu vetëm në këtë supermarket hidhen 500 deri në 600 ton ushqime në vit. Jo në mënyrë tjetër funksionon edhe një qendër tregtare në Japoni: Kur vjen malli i ri, malli me datën më të afërt të skadimit shkon drejt e në plehra, pavarësisht nëse është ende i ngrënshëm apo jo. Kështu ndodh në shumë vende. Në Austri shkencëtarët konstatuan, se vetëm në një degë supermarketi përfundojnë deri në 45 kg ushqime në ditë në plehra edhe pse afati i tyre i skadimit është pas dy javësh dhe produktet janë të ngrënshme edhe pas atij afati. Një insert përmbledh: “Në BE hidhen çdo vit 90 milion ton mallra ushqimorë. Të ngarkuar nëpër komionë, do të bëhej një autokolonë përreth komplet ekuatorit!”

Me kalimin e kohës po krijohet një rezistencë. “Palombarët e Mbeturinave”, të cilët në vendet me mirëqenie të lartë rrëmojnë nëpër kontejnerët e supermarketeve, i ndërmarrin aksionet e tyre kryesisht jo për arsye ekonomike por më tepër për motive ekologjike. Një firmë e madhe gjermane për prodhime bukësh vendosi që bukët e pashitura deri në fund të ditës t’i përdorë të paktën për ngrohjen e furrave të veta, në mënyrë që të mos i hedhë ato poshtë. Në Japoni prodhojnë nga kësi mbetjesh ushqime për kafshët, diçka që në BE është e ndaluar. “Përgjysmimi i mbetjeve ushqimore”, siç thuhet në një insert tjetër, “do të parandalonte po aq çlirim të gazrave të dëmshëm sa edhe eliminimi i përdorimit të gjysmës së automjeteve aktive.” Dhe: “Me ushqimin që shpërdorojmë në Evropë dhe në Amerikën e Veriut mund të ngopim tri herë të gjithë të uriturit e botës.”

Valentin Thurn ka përfshirë shumë probleme në filmin e tij; nuk e ka mbingarkuar, duke qenë se ai e tregon qartë, që problemet në mbarë botën janë të lidhura me njëra-tjetrën, deri te konfliktet mes fermerëve të vegjël dhe biznesmenëve të mëdhenj në Kamerun apo deri te kultivuesit e bletëve nëpër çatitë e Manhatanit dhe të Bruklinit në Nju Jork. Dokumentari “Taste dhe Waste” nuk e sheh të arsyeshëm përmendjen e nocionit “globalizim” edhe pse gjatë gjithë kohës kjo është tema që preket. Krahas gjithë atyre rezultateve katastrofale të nxjerra nga kërkimet e tija, ai raporton gjithnjë edhe për iniciativa individuale dhe për synime të reja guximnxitëse dhe të organizuara për të sjellë ndryshime. Në këtë mënyrë dokumentari nuk provokon në fund një dorëheqje, por një rezistencë.

  • Titulli: Taste the Waste
  • Regjia: Valentin Thurn
  • Kohëzgjatja: 92 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2012
  • Gjuha: origjinal me titra anglisht
  • Zhanri: dokumentar
  • Data: të enjten, 26 maj 2016, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Trailer: YouTube trailer


Aktualizimi i fundit: 18.05.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑