Pse e vodhëm makinën
sipas romanit të Wolfgang Herrndorf

Filifistuni ‘ekziston’ me të vërtetë, siç e përdorim ndonjëherë edhe nëpër shprehje. Të nisur për atje: dy djem, të dy të veçuar nga shoqëria për arsye të ndryshme, të dy 14 vjeç. Çiku, që emrin e saktë e ka Andrej Çiçaçov, një imigrant rus, i zgjuar, por në orën e mësimit i heshtur, shfaqet ndonjëherë në shkollë edhe i pirë. Majk Klingenberg, nuk ka ndonjë nofkë: i ati - një biznesmen pothuajse i falimentuar dhe me një dashnore; e ëma - jeton midis klinikës së rehabilitimit për alkoolikët dhe fushës së tenisit; dashuria e tij e pashpresë - Tatjana Kosiç, e cila ka një figurë yll dhe një gjatësi prej 1,65 metra, diçka që ai e ka konstatuar nga kërkimet e bëra në shkollë.

Një mbrëmje, Çiku dhe Majku marrin një makinë të markës Lada dhe ia mbathin. Me ecje të shpejtë dhe humor autori i shoqëron figurat e tij rrugës përmes provincave gjermane, pa humbur as edhe një sekondë nga sytë moshën 14-vjeçare të tyre. Shqisën e tij të mprehtë vëzhguese, përshkrimet brilante të njerëzve, skenat dhe përballjet, si dhe pikën e tij të dobët për situata të pazakonta, Herrndorfi ia vesh Majkut, i cili rrëfen për këtë aventurë në vetën e parë, duke përdorur kujtesën e tij.

2010: Herrndorfi korr me historinë e pashoq “Pse e rrëmbyem makinën” (titulli origjinal: Tschick) një sukses të papritur.
2013: Libri shitet më shumë se një milion herë, përkthehet në 24 gjuhë dhe luhet nëpër shumë skena gjermane të teatrit, ndërkohë që vetë autori është ndarë nga jeta. Herrndorfi i jep fund jetës së tij në moshën 48-vjeçare. Në blogun e tij të quajtur ‘Punë dhe Strukturë’ (Arbeit und Struktur) ai komunikon haptazi, se romanin e tij “Pse e rrëmbyem makinën” mundi ta përfundonte vetëm pasi mori vesh që vuante nga një tumor i pashërueshëm në tru. Kjo diagnozë fatale çliroi tek ai një krijueshmëri të panjohur më parë.

Aq aventuresk sa të dy djemtë, të cilët nisen për në ‘Filifistun’ me një makinë të vjedhur të markës Lada, aq dhe i thjeshtë tingëllon komenti i Herrndorfit për romanin e tij të suksesshëm:
“Rreth viti 2004 rilexova librat e fëmijërisë dhe të adoleshencës sime (...) dhe aty vërejta, se të gjithë librat e mi të preferuar kishin tri gjëra të përbashkëta: eliminimin e menjëhershëm të prindërve apo të kujdestarëve, një udhëtim të gjatë dhe shumë ujë. Mendova, se si mund t’i kombinoja këta tre elementë në një roman pak a shumë realist për moshat adoleshente. Lundrimi i lumit Elbë me një trap m’u duk qesharak; zotimi si i arratisur në një anije në Republikës Federale të Gjermanisë në shekullin e 21 më ngjau gjithashtu një budallallëk me brirë. Te diçka me makinë, vetëm aty sikur po më vinte diçka në mendje. Dy djem vjedhin një makinë!”
Ajo që Herrndorfi arriti me këtë roman, është një histori, e cila të bën aq shumë për vete, saqë të lind dëshira, të mos mbaronte kurrë.

Majku: Unë s’kam pasur kurrë ndonjë nofkë, në shkollë e kam fjalën, por as tjetërkund. Unë quhem Majk Klingenberg. Majk, jo Majki. As Bergu apo budallallëqe të tjera, thjesht Majk. Vetëm kur isha në klasën e gjashtë, më thërrisnin njëfarë kohe ‘Psiko’.

  • Titulli: Pse e vodhëm makinën – Sipas romanit të Wolfgang Herrndorf
  • Regjia, kostumet dhe muzika: Stefan Neugebauer
  • Versioni skenik: Robert Koall
  • Aktorët: Florind Belliu, Edvin Mustafa, Ilirda Bejleri
  • Asistentet e regjisë: Adriana Tolka, Anila Muçaj
  • Skenografia: Beqo Nanaj
  • Kostumografia: Sofi Karaj
  • Përktheu nga origjinali: Pandeli Pani
  • Interpet gjatë provave / titrimi: Mikel Hasko
  • Fotograf: Fasli Buçpapaj
  • Të drejtat e shfaqjes: Rowohlt Theater Verlag
  • Gjuha: shqip me titra gjermanisht
  • Datat e shfaqjes: Premiera: të mërkurën, 10 qeshor 2015, ora 20:00
    • të premten, 12 qershor 2015, ora 20:00
    • të shtunën, 13 qershor 2015, ora 20:00
    • të hënën, 05 tetor 2015, ora 20:00
    • të mërkurën, 07 tetor 2015, ora 13:00
    • të mërkurën, 14 tetor 2015, ora 13:00
    • të martën, 20 tetor 2015, ora 13:00
    • të mërkurën, 21 tetor 2015, ora 13:00
    • të martën, 27 tetor 2015, ora 13:00
    • të mërkurën, 28 tetor 2015, ora 13:00
  • Vendi: Teatri Kombëtar Eksperimental "Kujtim Spahivogli", shëtitore "Murat Toptani", nr. 2, Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman


Aktualizimi i fundit: 13.09.2015
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑