Victoria

Historia, që tregohet në një qëndrim të vetëm, të pandërprerë dhe e kondensuar fuqishëm në një ngjarje të dalldisur në kohë reale, është kjo:
E vetëpërhumbur spanjollja e re Viktoria (Laia Costa) kërcen nëpër diskot e Berlinit. Para njërës prej tyre ajo njihet me katër djem, të cilët e prezantojnë veten si Dielli (Frederick Lau), Boksieri (Franz Rogowski), Sinjali (Burak Yiğit) dhe Këmba (Max Mauff), ku shumë shpejt ata hyjnë në muhabet. Dielli dhe Viktoria shfaqin interes për njëri-tjetrin dhe, me t’iu dhënë rasti i parë, shkëputen nga grupi. Mirëpo flirti i tyre i brishtë ndërpritet papritmas nga të tjerët, sepse për ta nata ende nuk ka mbaruar. Për të shlyer një borxh të vjetër, të kohës kur Boksieri ishte në burg, djemtë planifikojnë të kryejnë një grabitje në një bankë private. E meqenëse njëri prej tyre është tepër i dehur për të drejtuar makinën, kjo punë i ngecet pikërisht Viktoriës. Befas loja shndërrohet në seriozitet.

Pas suksesit me grabitjen grupi rikthehet në disko dhe vazhdon të festojë në hare. Gjatë largimit nga lokali ata diktohen nga policia dhe ia mbathin në oborrin e pasmë të një shtëpie. Boksieri dhe Sinjali qëllohen dhe vdesin nga plagët e marra. Viktoria dhe Dielli arrijnë të hyjnë në një apartament të ndodhur aty pranë të një çifti të panjohur, ku vjedhin rrobat dhe rrëmbejnë foshnjën e tyre, të cilin e lënë në dyqanin përballë shtëpisë, siç edhe e premtuan, duke shpëtuar kështu të kamufluar drejt një hoteli. Aty Viktoria vëren, se edhe Dielli ka pësuar plagë të rënda gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ajo thërret ambulancën, e cila për fat të keq nuk vjen në kohë. Kështu Viktoria merr paratë e grabitjes dhe largohet nga hoteli pa u vënë re.

  • Titulli: Victoria
  • Regjia: Sebastian Schipper
  • Kohëzgjatja: 140 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2015
  • Gjuha: gjermanisht me titra anglisht
  • Aktorët: Laia Costa, Frederick Lau, Franz Rogowski, Burak Yiğit, Max Mauff, André M. Hennicke, etj.
  • Data: të enjten, 16 qershor 2016, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Trailer: YouTube trailer


Aktualizimi i fundit: 09.06.2016
Të dhënat mund të ndryshojnë.


Kreu i faqes ↑