Slider

Film

Në kohën e ëndrrave

Katër djem të rinj në periudhën pas rrëzimit të murit: Dani, Riko, Marku dhe Pali 'provojnë' epokën e re pas bashkimit të Gjermanive dhe pas fundit të RDGj-së. Ata vjedhin makina, provojnë drogën dhe hapin një diskotekë të tyre – një klub me muzikë tekno.

Dani, Riko, Pali dhe Marku ishin para pak vjetësh ende nxënës të regjimit komunist të RDGj-së, të nënshtruar nga ideologjia e sistemit, por gjithashtu të lindur në një të përditshme të papërfillshme. Me ç’duket, pas rrëzimit të murit nuk ka më rregulla. Të katër e shijojnë anarkinë e tyre private, duke u vërvitur netëve përmes Lajpcigut, duke gjezdisur të dehur me makina të vjedhura nëpër rrugët e natës, duke marrë drogë, duke shkaktuar trazira e duke i shijuar ato. Ata hapin një diskotekë, e cila dështon pas një viti për shkak të dhunës nga neonazistët. Riko shkatërron karrierën e tij si boksier, Pali merret me porno, Marku humb jetën, kurse Dani humbet dashurinë e jetës së tij.

Filmi “Në kohën e ëndrrave” tregon historinë e një brezi të humbur, i cili u bë viktimë e bashkimit të Gjermanive. Regjisori e ka inskenuar filmin me një rrjedhje ngjarjesh shumë të shpejtë, e cila përkon mjaft mirë me lajtmotivin vizual të filmit: dritat stroboskopike pulsuese dhe shqetësuese të lokaleve të natës. Pavarësisht gjërave që ata ndërmarrin, veprimet e tyre shpeshherë të dhunshme krijojnë gjithnjë një efekt, sikur të kenë për qëllim të brendshëm dhe të fshehtë mpirjen e një zhgënjimi të thellë dhe të pavetëdijshëm. Me sa duket, regjisori përpiqet të përpunojë në mënyrë indirekte nëpërmjet filmit një eksperiencë të vetën:
Sidomos nga pikëpamja politike, ishte një periudhë deziluzioni, sepse unë dola nga koha e rrëzimit të murit shumë i zhgënjyer. Ne patëm shpresën, që ribashkimi do të ishte shumë më tepër sasa një ‘rimarrje’ e rëndomë. Deri vonë kemi debatuar kryesisht për çështjen e borxheve dhe të përfshirjes politike si dhe për dramën e madhe mbi sigurimin e shtetit. Jemi marrë shumë pak me mundësitë e mëdha të sotshme, fuqinë e pamatshme të anarkisë.

Biografia
Adreas Dresen u lind në vitin 1963 në qytetin e vogël të Gerës në landin e Tyringenit në Gjermani. Pas një pune vullnetare në kinostudion gjermane të filmit DEFA për filma artistikë dhe asistencë regjie pranë regjisorit Günter Reisch, Dresen kreu studimet në Shkollën e Lartë për Film dhe Televizon “Konrad Wolf” në minibashkinë Potsdam-Babelsberg të qytetit Potsdam në landin e Brandenburgut në Gjermani. Ai punon që prej vitit 1992 si autor dhe regjisor i pavarur. Krahas filmave të tij, ai ka vënë edhe shfaqje teatrore në skenë, ndër të tjera veprën “Urfaust” e Gëtes në Teatrin Publik të Qytetit Kotbus (1996) apo vepra e tij “Në stolin e dëshmitarit” në Teatrin Gjerman të Berlinit (2002), ku u shfaq edhe vepra e Horvatsit “Kasimiri dhe Karolina” (2006). Në shkurt të 2006-s në qytetin Basel të Zvicrës ai drejtoi për herë të parë regjinë në veprën operistike të Mozartit “Don Xhovani”.

  • Titulli: Në kohën e ëndrrave
  • Regjia: Andreas Dresen
  • Kohëzgjatja: 117 minuta
  • Viti i shfaqjes së parë: 2015
  • Gjuha: gjermanisht me titra anglisht
  • Aktorët: Merlin Rose, Julius Nitschkoff, Marcel Heuperman, Joel Basman, Frederic Haselon, Ruby O. Fee, Thao Vu, etj.
  • Data: të enjten, 18 shkurt 2016, ora 19:00
  • Vendi: Akademia e Filmit dhe e Multimediës Marubi, rruga “Aleksandër Moisiu”, nr. 78, 1005 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Trailer: YouTube trailer