Të përkthesh kujtimet - Një mbrëmje me Stefan Çapalikun
“A nuk është vetë kujtesa një burg - burgu i kujtesës?” pyet Stefan Çapaliku rrëfimtarin fëmijëror që në fillim të romanit të tij biografik Secili çmendet në mënyrën e vet. Romani nuk është një biografi në kuptimin biografik të tij, shpjegoi autori të mërkurën, më 6 tetor, në oborrin me qirinj të Goethe-Zentrum. Përkundrazi, libri tregon biografinë e një brezi – brezit që u rrit në diktaturën e Shkodrës. “Do të më vinte turp, – thotë autori, – po të mos e kisha shkruar këtë libër.
Romani i Çapalikut tregon një histori të veçante pjekurie. Ngjarjet zhvillohen mes ndalimit të fesë në vitin 1967 dhe vdekjes së Enver Hoxhës në 1985, me ngjarjen kryesore që nis me ardhjen e një "kutie magjike". Televizioni, të cilin kryefamiljari e sjell nga Jugosllavia, hap lidhjen me një botë të ndaluar. Por marrëdhënia me këtë botë të jashtme është e njëanshme, jeta konsumohet në vend që t´i japë formë asaj.
Megjithatë, tubimet e natës rreth “kutisë magjike” shpjegohen nga Çapaliku si një lutje e fshehtë po aq sa si pjesë e një kulture të nëndheshme, e ruajtur në Shkodër gjatë diktaturës. Pjesë e kësaj kulture ishin edhe barcaletat. Të mërkurën mbrëma Çapaliku ndau njërën prej tyre me audiencën: “Çfarë do të bënit nëse kufijtë hapeshin papritur?” pyeti ai dëgjuesit. Përgjigja: “Do të hipja në pemë për të mos u shkelur”. Të kujtuarit e kësaj kulture të fshehtë përbën shqetësimin qendror të Bildungsroman-it të tij, shpjegoi autori.
Nëse dhe si mund të përkthehet ky kujtim ishte temë e diskutimit, i cili u zhvillua në gjermanisht dhe shqip. Çapaliku dhe përkthyesja gjermane Zuzana Finger lexuan fragmente nga libri, teksa moderatorja Marsela Likaj drejtoi mbrëmjen me pyetjet e saj duke ftuar autorin dhe përkthyesen të komentonin.
Çapaliku raportoi në një anekdotë për mundësitë e ndryshme të gjuhës. Gjatë procesit të përkthimit, Finger e pyeti se përse personazhet “gjuheshin me sy”: një idiomë shqipe për flirtimin.
Aktiviteti u organizua nga Ambasada Gjermane dhe Goethe-Zentrum Tiranë.
Ajo ishte pjesë e Lichtblicke – Tetorit Gjerman 2022.