Slider

Teatër

Nata arabe

Nata arabe ose “Përrallat e njëmijenjë netëve” është një tekst teatror i shkruar nga Roland Schimmelpfennig dhe i shfaqur për herë të parë në vitin 2001, i cili përbëhet nga pesë monologë të gërshetuar me një finesë të madhe artistike.

Megjithatë kjo formë epike nuk është një qëllim në vetvete, ajo prapëseprapë merr parasysh faktin, që njerëzit e përfshirë në këtë nokturnë janë banorët e vetmuar të një grataçeli, duke folur për jetën dhe veten e tyre.

Paralelisht me çfarë ata tregojnë në lidhje me përvojat e tyre gjatë një nate të nxehtë të verës, në kokën e dëgjuesit vijnë e formohen pikëpamje dhe asociacione të mjaftueshme për të vizatuar një panoramë të përgjithshme, si të ishte me fijet e një qilimi.

Nata arabe është një oratorio për zërat e pesë aktorëve. Nga këto pak faqe tekst të Roland Schimmelpfennig buron tension dhe thuren historitë që nga fillesat e thjeshta deri te strukturat më komplekse të narracionit.

Autori, i cili ka punuar në Stamboll për një kohë si gazetar, pason këtu përshkrimin e të nxehtit shtypës të Orientit, që e bën çdo lëvizje një përpjekje titanike dhe që drejton shpirtin në thellësitë e ndjenjave të padeshifrueshme. Frika dhe dëshira nuk janë më pa fjalë në tekstin e tij. Ata duket se vijnë nga “Përrallat e njëmijenjë netëve”, larë në djersë, fill pas gjumi. Ëndrra është e gjatë dhe shqisat janë kapur në fyt prej përvojash dhe ankthesh.

Nga pikëpamja e teknikës dramaturgjike e veçanta e këtij teksti është mungesa e dialogëve dhe ndërthurja e pesë monologëve në një “gërshet” të gjatë, të bukur e të pambarimtë.

Çdo gjë nis e nuk mbaron në një muzg vere, që është finalja e trishtë e ditës më të nxehtë të vitit, diku në një pallat shumëkatësh, në periferinë e një qyteti të madh apo në periferinë e vëmendjes sonë qytetare.

Prozaizmi i një situate të stërpërsëritur të mbaspunës ka për mbarim poezinë metafizike të përrallave arabe dhe shtegtimin drejt së panjohurës njerëzore.

Shfaqja do ta aktualizojë këtë tekst në linjat e realitetit tonë suburban, me anën e një procesi artistik të teatrit alternativ.

  • Titulli: Nata arabe
  • Regjia: Stefan Çapaliku
  • Versioni skenik: Roland Schimmelpfennig
  • Aktorët: Naun Shundi, Ema Ndoja, Dasara Xhagolli, Erion Hinaj, Jozef Shiroka
  • Skenografia: Zef Paci
  • Kostumografia: Jonida Beqo
  • Përktheu: Pandeli Pani
  • Titrat: Mikel Hasko
  • Gjuha: shqip me titra gjermanisht
  • Data e shfaqjes: Premiera: të enjten, 29 shtator 2016, ora 20:00
    • të premten, 30 shtator 2016, ora 20:00
    • të shtunën, 01 tetor 2016, ora 20:00
    • të dielën, 02 tetor 2016, ora 20:00
    • të premten, 07 tetor 2016, ora 20:00
    • të shtunën, 08 tetor 2016, ora 20:00
    • të dielën, 09 tetor 2016, ora 20:00
  • Vendi: Teatri Metropol, rruga "Dedë Gjo Luli", 1001 Tiranë
  • Hyrja: falas
  • Aktiviteti: në kuadër të Tetorit Gjerman