Kontrabasi

Patrick Süskind u lind më 1949 në Gjermani. Ai është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist, i njohur ndërkombëtarisht prej romanit “Parfumi”, botuar më 1985.
Dorëshkrimi i monodramës “Kontrabasi” i Patrick Süskind daton më 1980 dhe premiera u dha në Teatrin Cuvilliés në Mynih, më 22 shtator 1981. Ky tekst u vu në skenë në shumicën e teatrove gjermanishtfolëse dhe vetëm në sezonin e viteve 1984 – 1985 u luajt më shumë se 500 herë.
Shfaqja përbëhet nga monologu i një kontrabasisti, i cili flet për audiencën në dhomën e tij të vogël, të izoluar mirë në pikëpamje akustike dhe duke pirë birrë. Ai është i punësuar në një orkestër shteti. Në fillim kontrabasisti çmon tej mase instrumentin e vet për rëndësinë e tij në orkestër, duke treguar anekdota me një humor të fshehtë e hera-herës idhnak.
Më pas ai fillon të na shpjegojë anën e errët të marrëdhënies së tij me kontrabasin, si një pengesë e vazhdueshme drejt realizimit të qëllimeve të veta, një prej të cilave është edhe njohja me Sarën, këtë soprano të re, të cilën e admiron prej së largu.
Herë pas here ai pandeh se ndoshta muzika e dhomës mund të ishte shpëtimi nga anonimati i orkestrantëve të dënuar për t’i rënë veglave gjithë jetën atje poshtë, në gropën gjysmërrethore.
“Kontrabasi” i është kushtuar një njeriu të mbërthyer në sigurinë që i jep puna e përjetshme dhe dhoma e izoluar. Gjithçka është qesharake në këtë trajtesë tragjike. Ai është monologu i këtij njeriu të butë dhe të frustruar, që në jetën e vet i ka bërë vend veçse muzikës dhe instrumentit. Është gjithashtu tregimi i hidhur i vetmisë dhe i hakmarrjes së artistit, mbi të cilin s’kanë rënë kurrë projektorët e skenës.
Süskind me instinktin e tij të fortë për të kuptuar absurdin e personazhit të vet, dëshmon me këtë rast, se i njeh njerëzit po kaq mirë sa edhe muzikën.
- Titulli: Kontrabasi
- Regjia: Stefan Çapaliku
- Asistent i regjisë: Eno Nika
- Të drejtat e shfaqjes: Diogenes Verlag AG, Zürich
- Interpreton: Pjerin Vlashi
- Skenografia: Jonida Beqo
- Kostumografia: Jonida Beqo
- Dizajnues arti: Ervin Çoba
Përkthyes: Lek Tasi Gjuha: shqip Data e shfaqjes: Premiera: të premten, 24 mars 2017, ora 19:00, Teatri Metropol, Tiranë të shtunën, 25 mars 2017, ora 19:00, Teatri Metropol, Tiranë të dielën, 26 mars 2017, ora 19:00, Reja (open air), Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë të premten, 31 mars 2017, ora 19:00, Teatri Migjeni, Shkodër Hyrja: falas